Lionel Messi i ka dhënë fund karrierës së tij me kombëtaren e Argjentinës.
Ylli i Inter Miami-t, 39-vjeçar, e bëri të ditur vendimin përmes një postimi në Instagram, duke e përshkruar si një vendim të dhimbshëm, por që sipas tij ka ardhur në kohën e duhur.
“Ka qenë një vendim që më ka dhembur dhe ende më dhemb thellë, por e kuptoj se ka ardhur koha”, ka shkruar Messi.
Ai ka thënë se gjatë gjithë karrierës me fanellën e Argjentinës ka dhënë maksimumin dhe ka luftuar për t’i bërë tifozët krenarë.
“Kam dhënë gjithçka që kisha, nuk kam më çfarë të jap. Përveç kësaj, po vijnë lojtarë të rinj shumë të talentuar që e meritojnë vendin e tyre”, ka deklaruar ai.
Vendimi i Messit vjen disa javë pas përfundimit të Botërorit 2026, ku Argjentina arriti deri në finale, por u mposht 1:0 nga Spanja. Kjo ndeshje rezultoi të ishte paraqitja e fundit e tij me kombëtaren.
Messi e mbyll aventurën ndërkombëtare me një nga trashëgimitë më të mëdha në historinë e futbollit. Ai fitoi Kupën e Botës në vitin 2022, dy herë Copa América, në 2021 dhe 2024, si dhe Finalissimën në vitin 2022.
Në 207 paraqitje me Argjentinën, Messi shënoi 125 gola, duke u bërë golashënuesi dhe futbollisti me më së shumti paraqitje në historinë e kombëtares.
Vendimi erdhi gjithashtu pas vdekjes së babait të tij, Jorge Messi, në fillim të këtij muaji. Pas humbjes në finalen e Botërorit, Messi kishte lënë të kuptohej se po e mendonte seriozisht të ardhmen e tij në futboll.
Pavarësisht largimit nga kombëtarja, Messi vazhdon karrierën në nivel klubesh me Inter Miami-n.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


