Incidenti i djeshëm në Kuvendin e Kosovës ka vazhduar të marrë vëmendje në mediat ndërkombëtare. Pas raportimeve nga Reuters, Associated Press, BBC, Sky News dhe The Guardian, zhvillimet janë raportuar sot edhe nga CNN dhe e përditshmja gjermane “Die Zeit”.
CNN ka publikuar pamje nga momenti kur deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pasi ky i fundit kërkoi më shumë kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, ndërsa seanca e Kuvendit u ndërpre sërish.
Në raportimin e saj, CNN e përshkruan Kosovën si një vend që po përballet me krizë politike, duke theksuar se tensionet në Kuvend shpërthyen pasi Kurti kërkoi shtyrjen e procesit të konstituimit të institucionit.
Mediumi amerikan thekson se Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e parakohshme, por nuk ka siguruar mbështetjen e nevojshme për të garantuar zgjedhjen e presidentit dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve, duke e lënë vendin në një ngërç politik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


