Sunday, August 9, 2026
spot_img
HomeLajmeNetanyahu hedh poshtë planin 15-pikësh të Trump për Gazën

Netanyahu hedh poshtë planin 15-pikësh të Trump për Gazën

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar planin 15-pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump, për Gazën, duke deklaruar se nuk do të ketë tërheqje ushtarake derisa Hamasi të çarmatoset “vërtet”.

Bordi i Paqes i Trumpit tha muajin e kaluar se kishte arritur një marrëveshje për “çarmatosjen e plotë” të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza.

Megjithatë, Hamasi tha se dorëzimi i armëve të rënda varet nga përfundimi i “të gjitha formave të agresionit” nga Izraeli dhe tërheqja e forcave izraelite nga Gaza.

Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme në Gaza që nga arritja e një armëpushimi fillestar në territor, në tetorin e kaluar, raporton BBC – transmeton Sinjali.

“Izraeli e refuzon dokumentin 15-pikësh”, tha Netanyahu gjatë një mbledhjeje të kabinetit të dielën.

Ushtria izraelite “nuk do të kryejë asnjë tërheqje derisa Hamasi të çarmatoset vërtet dhe do të vazhdojë të pengojë kërcënimet ndaj forcave tona dhe qytetarëve tanë”, shtoi ai.

Trump kishte njoftuar muajin e kaluar për “një hap monumental drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme”, pasi Hamasi deklaroi se kishte pranuar një plan për çarmatosjen në Gaza.

Megjithatë, Netanyahu tha se Hamasi duhet të çarmatoset përpara se Izraeli të tërheqë forcat e tij nga Gaza, duke shtuar se çarmatosja nuk mund të jetë një proces “fiktiv”.

Ai tha se tashmë është duke zhvilluar bisedime me zyrtarët amerikanë për mënyrën se si duhet të vazhdohet.

“Ata kanë ide; disa prej tyre janë të pranueshme për ne dhe disa jo, dhe ne dimë se si të qëndrojmë të palëkundur në këto çështje”, tha ai.

Vetëm disa muaj para zgjedhjeve në Izrael, Netanyahu nuk pritet të jetë i gatshëm të bëjë lëshime.

Ai është përballur me thirrje nga aleatët e tij të ekstremit të djathtë për mbajtjen e një votimi të ri në kabinet dhe për t’i dhënë fund planit për Gazën. Mes tyre është edhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, i cili e cilësoi draftin si “të papranueshëm”.

Kjo përbën një tjetër goditje për planin e paqes për Gazën të Trumpit, i cili u prezantua në shtator të vitit të kaluar.

Plani përfshinte krijimin e Bordit të Paqes për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes, si dhe çarmatosjen e Hamasit, tërheqjen e trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT