Kombëtarja e Kosovës është mposhtur 3-1 nga Austria në ndeshjen e vlefshme për Ligën B të Ligës së Kombeve.
Dardanët patën mundësi të kalonin të parët në epërsi, me Vedat Muriqin që dështoi të shfrytëzonte një rast të mirë nga afërsia.
Austria e zhbllokoi rezultatin në minutën e 23-të. David Affengruber shënoi me kokë pas një harkimi të Schmid.
Në fundin e pjesës së parë, vendasit e shfrytëzuan një kundërsulm. Junior Adamu përfitoi nga një aksion i shpejtë dhe realizoi për 2-0 në minutën e 45+2-të.
Kosova e nisi më mirë pjesën e dytë dhe përsëri Muriqi pati mundësi të shënonte, por portieri austriak reagoi mirë.
Austria e gjeti edhe golin e tretë në minutën e 61-të. Carney Chukwuemeka përfitoi nga një situatë e krijuar në zonën e Kosovës dhe shënoi nga afërsia.
Dardanët arritën të shënonin vetëm një herë. Pas një ndërhyrjeje ndaj Matoshit në zonën e rreptësisë, Kosova fitoi penallti, të cilën Edon Zhegrova e konkretizoi në minutën e 83-të.
Me këtë rezultat, Kosova pëson humbjen e parë në Ligën B.
Ndeshjen e radhës, Dardanët do ta zhvillojnë pas tri ditësh ndaj Izraelit në Hungari.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


