Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka konfirmuar rastin e parë pozitiv me Virusin e Nilit Perëndimor (West Nile Virus – WNV) gjatë këtij viti.
Sipas njoftimit të IKShPK-së, rasti është konfirmuar sot përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë. Bëhet fjalë për një person të gjinisë mashkullore, të lindur në vitin 2005, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili po trajtohet në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Instituti ka bërë të ditur se pacienti ndodhet në gjendje stabile dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
Nga hulumtimi epidemiologjik rezulton se pacienti nuk ka pasur histori udhëtimi jashtë Kosovës në vendet ku aktualisht është raportuar qarkullim i virusit.
Virusi i Nilit Perëndimor është një sëmundje sezonale që shfaqet gjatë muajve të verës dhe transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Sipas IKShPK-së, deri më 5 gusht 2026, shtatë vende të Rajonit Evropian kanë raportuar raste të infeksionit me këtë virus: Italia me 139 raste, Greqia me 61 raste, Spanja me 17 raste, Maqedonia e Veriut me 13 raste, Rumania me 6 raste, Franca me 4 raste dhe Gjermania me 1 rast.
Në Kosovë, gjatë pesë viteve të fundit (2021–2025), janë regjistruar gjithsej 9 raste të Virusit të Nilit Perëndimor: 7 raste gjatë vitit 2024 dhe nga një rast në vitet 2023 dhe 2025. Rasti i konfirmuar sot është i pari i regjistruar gjatë vitit 2026.
IKShPK ka sqaruar se virusi nuk transmetohet nga personi te personi përmes kontakteve të zakonshme, por kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Rreth 80% e personave të infektuar nuk zhvillojnë simptoma, ndërsa te rreth 20% mund të shfaqen ethe, temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, lodhje ose skuqje të lëkurës.
Sipas institutit, vetëm një numër shumë i vogël i rasteve (më pak se 1%) zhvillon forma të rënda që prekin sistemin nervor, kryesisht te personat e moshuar ose ata me sëmundje shoqëruese.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndërmarrin masa parandaluese, përfshirë përdorimin e repelentëve kundër mushkonjave, veshjen e rrobave me mëngë dhe pantallona të gjata, vendosjen e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe dyer, si dhe eliminimin e ujit të ndenjur në oborre, vazo, enë apo vende të tjera ku mund të shumohen mushkonjat.
Instituti ka rekomanduar gjithashtu shmangien e qëndrimit jashtë gjatë agimit dhe muzgut, kur mushkonjat janë më aktive, si dhe mbajtjen e pastër të pishinave, shatërvanëve dhe sipërfaqeve ku mund të grumbullohet ujë.
Personat që udhëtojnë në vende ku virusi është i pranishëm këshillohen të përdorin masa mbrojtëse kundër pickimit të mushkonjave dhe, nëse shfaqin simptoma gjatë ose pas udhëtimit, të kërkojnë ndihmë mjekësore.
IKShPK ka bërë të ditur se po e monitoron në vazhdimësi situatën dhe ka theksuar se nuk ka vend për panik.
Sipas institutit, zbatimi i masave të thjeshta mbrojtëse mbetet mënyra më efektive për të reduktuar rrezikun e infektimit gjatë sezonit të aktivitetit të mushkonjave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


