Gazeta Sinjali sot ka raportuar ekskluzivisht për një përleshje mes disa personave në hyrje të Autostradës “Ibrahim Rugova”, ku mbeti i lënduar një zyrtar policor.
Sinjali mëson se në momentin e përleshjes në vendin e ngjarjes ka qenë edhe një hetues policor, i cili ishte në rroba civile dhe në detyrë zyrtare.
Hetuesi ka ndërhyrë pasi njëri nga të dyshuarit kishte nxjerrë armën e zjarrit. Fatmirësisht, ai ka arritur t’ia largojë armën nga dora të dyshuarit, duke parandaluar përdorimin e saj dhe përshkallëzimin e situatës.
Megjithatë, gjatë ndërhyrjes, hetuesi policor është sulmuar nga një tjetër i dyshuar, i cili dyshohet se e ka therur me thikë, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Rasti për Sinjalin tashmë është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për Sinjalin se rasti ka ndodhur më 19 shtator, rreth orës 12:50, në rrugën “Brigada 125”, në afërsi të hyrjes së Autostradës “Prizren–Jug”.
“Në vendngjarje ka qenë edhe një zyrtar policor – hetues, i cili ka ndërhyrë menjëherë për të vënë situatën nën kontroll. Gjatë përleshjes, njëri nga të dyshuarit dyshohet se kishte në posedim një armë zjarri, ndërsa një tjetër një mjet të mprehtë (thikë)”, ka thënë Bytyqi.
Sipas tij, gjatë ndërhyrjes zyrtari policor ka pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë, ndërsa në vendngjarje janë sekuestruar arma e zjarrit dhe thika.
“Me arritjen e njësive policore, katër të dyshuarit janë arrestuar”, ka deklaruar Bytyqi.
Pas konsultimit me prokurorin e shtetit, rasti është iniciuar dhe është cilësuar si “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Rasti mbetet nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


