Thursday, May 7, 2026
spot_img
HomeLajmeKompakti ShBA-Kosovë hyn në vitin e tretë, avancojnë bateritë për ruajtjen e...

Kompakti ShBA-Kosovë hyn në vitin e tretë, avancojnë bateritë për ruajtjen e energjisë

Është shënuar përvjetori i dytë i hyrjes në fuqi i Marrëveshjes së Kompaktit, e arritur midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe qeverisë së Kosovës, i cili po zbatohet nga Llogaria e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCA–Kosovë).

Kjo marrëveshje kap vlerën prej 236.7 milionë dollarë.

Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe partnerë zhvillimorë, për të reflektuar mbi progresin e arritur gjatë dy viteve të para të zbatimit të Kompaktit.

Në këtë përvjetor, theks i veçantë iu kushtua rritjes së sigurisë energjetike përmes zbatimit të Kompaktit, që është një prej projekteve më inovative të ruajtjes së energjisë në rajon. U prezantuan gjithashtu zhvillimet kryesore në komponentët kyç të programit, përfshirë prokurimin e sistemit të baterive, transferimin e tokave dhe përgatitjen e zonave ku do të ndërtohen bateritë, progresin drejt funksionalizimit të Qendrës për Energji dhe Inovacion përmes partneritetit me Universitetin e Prishtinës, si dhe operacionalizimin e Korporatës për Ruajtjen e Energjisë, raporton Klankosova.tv.

Drejtoresha Ekzekutive e MCA-Kosovës, Florina Duli – Sefaj, tha se është avancuar në fazën finale të prokurimit Sistemi i Ruajtjes së Energjisë përmes baterive.

“Kemi përfunduar dizajnin dhe, në koordinim të plotë me MCC, kemi avancuar në fazën finale të prokurimit për Sistemin e Ruajtjes së Energjisë përmes baterive – një investim strategjik me kapacitet prej 340 MWh, që do të rrisë ndjeshëm stabilitetin dhe fleksibilitetin e sistemit energjetik të Kosovës”, tha gjatë fjalës së saj hyrëse, Duli – Sefaj.

Projekti për ruajtjen e energjisë është një prej projekteve më inovative në rajon dhe investimi më i madh në sektorin e energjisë në vend në dekadat e fundit.

“Është themeluar Korporata për Ruajtjen e Energjisë (KRE) e cila do t’i ketë në pronësi 250 MWh nga ky kapacitet, përderisa siç e dini 90 MWh të tjera do të jenë në pronësi të KOSTT-it. Bordin e kësaj organizate, kësaj ndërmarrje publike planifikojmë ta emërojmë javën e ardhshme më së largu dhe me këtë funksionalizohet edhe kjo ndërmarrje e re që po i shtohet sektorit tonë që do të jetë shumë e rëndësishme në të ardhmen”, tha ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ndërsa, e ngarkuara me punë e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati iu bashkua partnerëve në shënimin e përvjetorit të dytë të Kompaktit, duke theksuar progresin e partneritetit prej 236.7 milionë dollarësh midis ShBA-së, përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), dhe Kosovës.

“Ky investim i rëndësishëm po forcon sigurinë energjetike duke përmirësuar qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike dhe duke mbështetur rritjen e përbashkët ekonomike në afat të gjatë”, tha ndër të tjera Anu Prattipati.

Gjatë një sesioni bashkëbisedimi ndërmjet Rizvanollit, dhe Rinor Gjonbalajt, Drejtor Rezident i Vendit në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), u theksua rëndësia e Kompaktit për të ardhmen e sigurisë energjetike në Kosovë.

Ndër të tjera, Gjonbalaj shpjegoi se si Kompakti ka për qëllim rritjen e sigurisë energjetike duke prekur katër fusha të rëndësishme: investimin në infrastrukturë përmes ndërtimit të baterive, fuqizimin e institucioneve përmes reformave në sektorin e energjisë dhe asistencës teknike, zhvillimin e fuqisë punëtore në sektorin e energjisë, si dhe tërheqjen e investimeve nga sektori privat përmes bashkëpunimit me Korporatën Amerikane për Financimin e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC).

Më tej, një seri panelesh diskutimi trajtuan temat e sigurisë së energjisë, të ardhmen e fuqisë punëtore në energji dhe financimin në sektorin e energjisë në Kosovë. /Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT