Saturday, September 5, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Kapen pas mbi një muaji dy të dyshuarit për tentim-vrasjen...

Ekskluzive | Kapen pas mbi një muaji dy të dyshuarit për tentim-vrasjen në Brus të Lipjanit – përfundojnë në ndalim

Dy persona të dyshuar për përfshirje në një rast të rëndë me armë zjarri, që kishte ndodhur në muajin korrik në fshatin Brus të Lipjanit, janë kapur nga Policia pas më shumë se një muaji, merr vesh Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Shpat Makollin, rreth 25-vjeçar, dhe Shpat Ilazin, rreth 26-vjeçar, të cilët janë ndaluar më 4 shtator nga njësitë policore.

Rasti për të cilin ata dyshohen kishte ndodhur më 24 korrik, rreth orës 19:30, në fshatin Brus.

Atë mbrëmje, Policia kishte pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri, ndërsa pas daljes së njësive në vendngjarje ishte konstatuar se A.G rreth 26-vjeçar, kishte mbetur i plagosur në këmbë.

I plagosuri ishte transportuar për trajtim mjekësor në Spitalin e Gjilanit dhe më pas ishte liruar.

Që nga dita e incidentit, Shpat Makolli ishte identifikuar si i dyshuar, por nuk ishte arritur të kapej dhe ndodhej në arrati.

Hetimet e zhvilluara ndërkohë kanë çuar edhe te personi i dytë i dyshuar, Shpat Ilazi, i cili dyshohet për përfshirje në rast në bashkëkryerje.

Pas më shumë se një muaji, kërkimi për të dyshuarit ka marrë fund.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, më 4 shtator, Makolli dhe Ilazi janë ndaluar nga njësitë policore të Stacionit Veriu dhe më pas janë shoqëruar për intervistim.

Makolli po hetohet nën dyshimin për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Ilazi dyshohet për “Vrasje të rëndë në tentativë” në bashkëkryerje.

Pas intervistimit të tyre është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, i cili ka nxjerrë vendim që të dy të dyshuarit të ndalohen për 48 orë.

Ata janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT