Ushtarët e caktuar në Komandën Rajonale-Perëndim (RC-W), në kuadër të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kanë zhvilluar një stërvitje me helikopter në kampin “Villaggio Italia” në Pejë, me synim forcimin e gatishmërisë operacionale dhe përmirësimin e koordinimit ndërmjet ekuipazheve ajrore dhe personelit në terren.
Sipas njoftimit të KFOR-it, stërvitja ka përfshirë aktivitete të ndryshme, si transporti i personelit, evakuimi i të lënduarve dhe operacione reagimi në situata emergjente.
KFOR bëri të ditur se përmes trajnimeve të tilla, personeli i tij ruan një nivel të lartë të gatishmërisë dhe vetëdijes situative, duke siguruar reagim të shpejtë dhe efektiv ndaj sfidave të mundshme operative.
“Ky aktivitet pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


