Mjeku shqiptar në Gjermani, Erlind Kadriu, specialist në kardiologji dhe mjekësi invazive, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e shëndetit kardiovaskular në Kosovë, duke theksuar dallimet e mëdha që ekzistojnë mes Kosovës dhe vendeve të Evropës Perëndimore sa i përket trajtimit dhe kontrollave mjekësore.
Në një rrëfim në emisionin Diaspora në Klan Kosova, për përvojën e tij profesionale në Gjermani, Kadriu tha se një ndër gjërat që e shqetëson më së shumti është mosha shumë më e re e pacientëve në Kosovë që përballen me probleme serioze të zemrës.
“Mosha e pacientëve në Kosovë fatkeqësisht është më e re se në Evropën Perëndimore. Në Gjermani trajtojmë pacientë mbi 80 apo 90 vjeç, ndërsa në Kosovë është krejt tjetër dallim. Edhe statistikat tregojnë që ekziston ky dallim”, tha ai, njofton Klankosova.tv.
Ai foli edhe për kulturën e neglizhimit të simptomave dhe frikën që njerëzit kanë nga kontrollat mjekësore”
“Në Kosovë shkojnë te mjeku vetëm kur nuk ka më mundësi tjetër. Ekziston ajo fjala popullore ‘shkohet në spital veç kur ki me dekë’, e kjo është shumë gabim. Këtu në Gjermani njerëzit bëjnë kontrolla vazhdimisht dhe e kanë kulturë kontrollën preventive”, u shpreh kardiologu.
Sipas tij, qytetarët duhet të paktën një herë në vit të bëjnë analiza bazike si kontrolli i sheqerit në gjak, yndyrës, tensionit dhe parametrave të tjerë bazikë, për parandalimin e sëmundjeve të zemrës.


