Sunday, September 13, 2026
spot_img
HomeLajmeKanadaja synon afrim me BE-në përmes një statusi të veçantë si “anëtar...

Kanadaja synon afrim me BE-në përmes një statusi të veçantë si “anëtar i asociuar”

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, po shqyrton mundësinë e afrimit më të madh të vendit të tij me Bashkimin Evropian, përfshirë edhe krijimin e një statusi të veçantë si “anëtar i asociuar”, raporton Wall Street Journal.

Një status i tillë aktualisht nuk ekziston në BE, por zyrtarë kanadezë dhe evropianë kanë diskutuar mundësinë e krijimit të një forme të re bashkëpunimi. Kjo do t’i mundësonte Kanadasë lidhje më të afërta me BE-në, pa u bërë anëtare e plotë.

Raportimi vjen para fjalimit që Carney pritet ta mbajë të enjten në Parlamentin Evropian në Strasburg, ku pritet të flasë për të ardhmen e marrëdhënieve mes Kanadasë dhe BE-së.

Kanadaja aktualisht është përfshirë në një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara, ku tarifat e larta kanë tensionuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në këtë situatë, Kanadaja dhe BE-ja po kërkojnë të forcojnë bashkëpunimin në tregti, energji, inteligjencë artificiale, mbrojtje dhe minerale kritike.

Sipas Wall Street Journal, në diskutim janë edhe projekte të përbashkëta në kabllot nënujore, qendrat e të dhënave, infrastrukturën cloud dhe rrjetet satelitore. Kanadaja synon gjithashtu të rrisë eksportet e energjisë drejt Evropës.

Megjithatë, krijimi i një statusi të “anëtarit të asociuar” nuk do të jetë i lehtë, pasi BE-ja ka rregulla të përcaktuara për anëtarësimin dhe ndryshimet në marrëveshjet ekzistuese kërkojnë një proces të gjatë.

Ideja për një status të tillë është përmendur edhe më herët nga kancelari gjerman Friedrich Merz, fillimisht në kontekstin e Ukrainës, por modeli mund të aplikohet edhe për vende të tjera, përfshirë Kanadanë.

Ndërkohë, Carney dhe presidenti francez Emmanuel Macron pritet të vizitojnë javën e ardhshme territorin francez Saint-Pierre-et-Miquelon, në brigjet e Atlantikut, rreth 20 kilometra larg Kanadasë.

Vizita synon të tregojë afërsinë mes Francës dhe Kanadasë dhe mbështetjen e tyre për vlera si demokracia, sundimi i ligjit dhe respektimi i sovranitetit të shteteve.

Kjo do të jetë vizita e parë e një kryeministri kanadez në këtë arkipelag.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT