Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit diplomatikë të huaj që të mos e përdorin politikisht aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë.
Gucati ka reaguar ndaj qëndrimeve se vendimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar, pasi palët kanë të drejtë ankese.
Ai ka thënë se, pavarësisht mundësisë së apelimit, një vendim që ai e konsideron të padrejtë do t’i sillte pasoja Kosovës, edhe në rast se më vonë do të ndryshohej nga Apeli.
Sipas tij, Serbia do të mund ta përdorte një vendim të tillë në skenën ndërkombëtare, përfshirë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe në përpjekjet e saj politike kundër Kosovës.
Gucati ka shprehur kritika edhe ndaj punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai pretendon se gjatë procesit është krijuar një narrativë që i ka shërbyer Serbisë dhe paralajmëron se një vendim që, sipas tij, do ta kriminalizonte luftën e UÇK-së do të kishte pasoja edhe për mënyrën se si shihet lufta çlirimtare dhe shtetësia e Kosovës.
Në fund, Gucati përmes postimit në Facebook ka theksuar se drejtësia nuk duhet të matet vetëm me rezultatin përfundimtar të një procesi, por duhet të jetë e drejtë dhe e paanshme që nga fillimi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


