Ish-nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ka kritikuar ashpër politikën e administratës Trump ndaj Iranit, duke e quajtur situatën “budallallëqe” dhe duke thënë se përshkallëzimi i konfliktit nuk reflekton vullnetin e popullit amerikan dhe nuk ka bazë të qartë ligjore nga Kongresi.
Gjatë një aktiviteti me demokratët në Las Vegas, Harris deklaroi se tensionet aktuale me Iranin nuk duhej të ishin nisur dhe se paralajmërimet për përkeqësim të situatës janë të pabazuara.
“Janë thjesht budallallëqe,” tha ajo para të pranishmëve, duke shtuar më vonë se ishte përpjekur të përdorte gjuhë më të kujdesshme në publik.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se përshkallëzimi i konfliktit mund të ketë pasoja globale, përfshirë ndikimin në tregjet e energjisë dhe zhvillimet në luftën në Ukrainë, duke theksuar se Rusia mund të përfitojë nga situata.
Harris kritikoi edhe presidentin Donald Trump, duke e cilësuar si “të rrezikshëm”, ndërsa ngriti shqetësime për zhvillimet në sistemin zgjedhor në SHBA, përfshirë vendime gjyqësore dhe ndryshime në hartat zgjedhore që, sipas saj, mund të ndikojnë në procesin e votimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


