Christophe Dugarry nuk i ka kursyer aspak kritikat ndaj Kylian Mbappes, pasi ylli i Real Madridit foli hapur për mundësinë e fitimit të Topit të Artë.
Ish-sulmuesi francez, kampion bote me Francën në vitin 1998, e ka cilësuar si “fëmijërore dhe patetike” dëshirën për të kërkuar publikisht një çmim individual.
Mbappe së fundmi deklaroi se të luajturit për Real Madridin e vendos natyrshëm në garë për Topin e Artë, duke pranuar se mund të jetë një vit i favorshëm për të.
“Kur luan për Real Madridin, klubin më të mirë në botë, njerëzit të lidhin me këtë çmim. Ndoshta është një vit i mirë për këtë, por njerëzit mund të votojnë sipas asaj që mendojnë”, kishte thënë Mbappe.
Por deklarata e tij ka shkaktuar reagim të fortë nga Dugarry.
“Të kërkosh publikisht një çmim individual si ai, mua më duket FËMIJËRORE dhe PATETIKE. Nuk ka asgjë madhështore në të kërkuarit e tij, sidomos kur je kapiten i kombëtares”, ka deklaruar Dugarry.
Kritika bëhet edhe më e fortë për shkak të rolit që Mbappe ka te Franca. Dugarry beson se një kapiten duhet të vendosë suksesin e ekipit mbi ambiciet personale.
Në moshën 27-vjeçare, Mbappe vazhdon ta ketë Topin e Artë si një nga trofetë e mëdhenj që i mungojnë në karrierë, ndërsa këtë sezon synon ta bindë botën se më në fund është koha e tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


