Thursday, September 24, 2026
spot_img
HomeLajmeKallas mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor, Kurti: Kosova nuk mund të mbetet...

Kallas mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor, Kurti: Kosova nuk mund të mbetet peng i Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të mos e vonojë më trajtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim dhe t’i japë vendit statusin e shtetit kandidat.

Kurti e ka ngritur këtë çështje gjatë drekës së organizuar në New York nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, me përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Takimi është zhvilluar në kuadër të qëndrimit të Kurtit në New York për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Sipas Kurtit, dhënia e statusit të vendit kandidat do të ishte përgjigje ndaj, siç ka thënë ai, besnikërisë së Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe orientimit të saj euroatlantik, si dhe një shtysë për vazhdimin e reformave.

“Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik”, ka shkruar Kurti.

Ai ka kritikuar gjithashtu mosprocedimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, i cili është dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë.

Kurti ka thënë se mbajtja “në sirtar” e aplikimit, ndërkohë që Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përbën, sipas tij, padrejtësi ndaj vendit dhe mund të inkurajojë aktorët destabilizues në rajon.

“Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior”, ka deklaruar ai.

Në postimin e tij, kryeministri ka akuzuar Serbinë se mbron dhe shpërblen persona të dënuar për krime, glorifikon të dënuar për krime të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi dhe refuzon të bashkëpunojë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

Ai gjithashtu ka përsëritur akuzat ndaj Beogradit për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar politikën atje si “spastrim etnik administrativ”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT