Wednesday, September 9, 2026
spot_img
HomeLajme“Kallaballëk” kallëzimesh ndaj Kurtit, edhe Haki Abazi e çon në Prokurori Speciale

“Kallaballëk” kallëzimesh ndaj Kurtit, edhe Haki Abazi e çon në Prokurori Speciale

Haki Abazi i është bashkuar listës së personave dhe subjekteve që kanë dorëzuar kallëzime penale ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Ish-deputeti ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë, duke pretenduar se janë konsumuar tri vepra penale: keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar, pengimi i funksionimit të institucioneve kushtetuese dhe mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore.

“Sapo dorëzova kallëzim penal pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës kundër Albin Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë për tre vepra penale të konsumuara”, ka shkruar Abazi.

Kallëzimi i Abazit vjen pas disa rasteve të tjera të ngjashme gjatë muajit të kaluar.

Më 26 gusht, Partia Demokratike e Kosovës kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Albin Kurtit dhe anëtarëve të Qeverisë në detyrë, lidhur me pretendimet për tejkalim të kompetencave dhe ushtrim të pozitave të dyfishta.

Po atë ditë, Aleanca kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale lidhur me 17 vendime të marra nga Qeveria në detyrë.

Ndërsa më 12 gusht, ish-deputeti Gani Geci, i shoqëruar nga avokati Gent Gjini, kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Kurtit dhe personave të tjerë.

Kështu, kallëzimi i Haki Abazit vjen në një periudhë kur Prokuroria Speciale ka pranuar disa kallëzime që lidhen me veprimet e Kurtit dhe Qeverisë në detyrë.

Megjithatë, dorëzimi i një kallëzimi penal nuk nënkupton se personi i kallëzuar është fajtor apo se veprat e pretenduara janë kryer. Për këtë vendosin organet kompetente të drejtësisë pas trajtimit të rasteve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT