Wednesday, September 9, 2026
spot_img
HomeLajme35-vjeçari shqiptar u vra në Itali – e futën në qese të...

35-vjeçari shqiptar u vra në Itali – e futën në qese të zezë dhe e hodhën në lumë me veturë

Një 35-vjeçar shqiptar dyshohet se është ekzekutuar me armë zjarri në Itali, ndërsa autorët janë përpjekur ta fshehin trupin duke e futur në një qese të zezë dhe duke e hedhur në lumë bashkë me një veturë.

Viktima është identifikuar si Ferdinant Hoti, shtetas shqiptar me banim në Mirano, në provincën e Venecias. Trupi i tij u gjet më 8 shtator në pjesën e pasme të një “Fiat Bravo” të zezë, pa targa, e cila ishte fundosur në ujërat e lumit Tergola, në San Giorgio delle Pertiche, në provincën e Padovës.

Hetimet kanë zbuluar detaje të rënda për mënyrën e vrasjes. Sipas ekzaminimeve mjekoligjore, Hoti ishte qëlluar me armë zjarri nga distancë e afërt dhe në momentin e vrasjes i kishte duart e lidhura. Mjeku ligjor ka konstatuar se ai kishte vdekur para se trupi të përfundonte në ujë, pasi në mushkëri nuk u gjetën gjurmë uji.

Trupi ishte futur në një qese të zezë dhe ishte mbuluar pjesërisht me goma automjetesh, të cilat dyshohet se janë përdorur për ta rënduar dhe për ta mbajtur nën ujë. Vetura ishte pa targa dhe u nxor nga lumi nga ekipet e zjarrfikësve.

Identiteti i 35-vjeçarit u përcaktua nga Karabinierët e Padovës përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe të dhënave të tjera të mbledhura gjatë hetimit. Hetuesit tashmë po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e tij gjatë mbrëmjes së 7 shtatorit dhe të zbulojnë me kë ishte takuar para se të vritej.

Një tjetër detaj që ka ngritur pikëpyetje është vetura. Karabinierët kanë arritur ta identifikojnë pronarin përmes numrit të shasisë. Automjeti rezulton në pronësi të një personi nga provinca e Venecias, i cili nuk kishte raportuar vjedhjen e tij dhe tash po merret në pyetje nga autoritetet.

Ndërkohë, Prokuroria e Padovës po e trajton rastin si një ekzekutim. Sipas hetuesve italianë, një nga pistat kryesore është një larje hesapesh në ambientet kriminale të lidhura me trafikun e drogës. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur motivin dhe për të identifikuar autorët.

Hetuesit po analizojnë edhe kamerat e sigurisë dhe lëvizjet në zonën ku u gjet vetura, ndërsa po shqyrtohet edhe mundësia që autorët ta kenë njohur mirë zonën dhe rrjedhën e lumit, për ta fshehur trupin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT