Një armë zjarri është gjetur të shtunën në mëngjes në një nga rrugët e Prishtinës, duke alarmuar Policinë, e cila ka ndërhyrë menjëherë dhe ka nisur hetimet për identifikimin e personit që e posedonte.
Sinjali mëson se arma është gjetur në rrugën “Xhemile Vitia”, ndërsa rastin e ka raportuar E. V. rreth 34 vjeçar.
Sipas burimeve, rreth orës 08:30, dëshmitari ishte duke ecur në këtë rrugë kur ka vërejtur një çantë të braktisur. Pasi e ka kontrolluar, ai ka konstatuar se brenda saj ndodhej një pistoletë e tipit TT, së bashku me shtatë fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia e krimteknikës, të cilët kanë kryer ekzaminimin e lokacionit dhe kanë sekuestruar armën me municion në cilësinë e provave materiale.
Me konsultim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të identifikuar personin që e kishte lënë armën në atë lokacion.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


