Saturday, October 3, 2026
spot_img
HomeLajme“Jo në emrin tim”, aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, Haziri: Ligji...

“Jo në emrin tim”, aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, Haziri: Ligji të votohet sa më shpejt

Iniciativa “Jo në emrin tim” ka mbajtur një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, ku është vendosur një pankartë me mbishkrimin “Ligji për mbrojtjen e UÇK-së”.

Në pankartë janë renditur emrat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të ndarë sipas qëndrimeve të tyre lidhur me çështjen e UÇK-së dhe nismën për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit për Dhomat e Specializuara.

Organizatori i protestave, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje deputetëve të mblidhen sa më shpejt dhe të votojnë ndryshimet e kërkuara në legjislacionin për Dhomat e Specializuara

“Sot kemi vendosur këtu një baner para Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku i kemi paraqitur të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këtu janë të ndarë deputetët të cilët presim ta votojnë ligjin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Janë pakicat të cilat edhe kanë votuar një deklaratë, gjithashtu edhe deputetët shqiptarë. Ndërsa në pjesën tjetër janë deputetët e pakicave serbe, nga të cilët nuk presim se do ta votojnë këtë ligj. Nuk presim që ata të kenë mëshirë apo një iniciativë për drejtësinë, për drejtësinë e cila e goditi shtetin e Kosovës, e cila realisht është një padrejtësi e thirrur në emër të drejtësisë”, shtoi Çlirimi Haziri.

“E ndërsa sot çështjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të identitetit tonë kombëtar, e kemi në prag të këtij Kuvendi dhe presim që ligji të votohet. Ligji duhet të votohet sa më shpejt. Ne i dimë obligimet kushtetuese të këtij Parlamenti, e këta deputetë që janë këtu kanë mandat vetëm edhe tre ditë, nëse nuk rrezikohen e nuk shpërbëhet ky Kuvend nga disponimi i tyre politik, pra disponimi i politikanëve.

Kështu që ne sot jemi mbledhur këtu, e kemi vendosur këtë baner duke shpresuar që t’u bëjmë thirrje deputetëve të reflektojnë, të angazhohen e të votojnë ligjin për të cilin protesta nuk ka heshtur tash e 18 ditë.

Deputetët shqiptarë kanë obligim ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbi sakrificën e së cilës janë ndërtuar këto institucione dhe është krijuar mundësia që edhe të kemi deputetë.

Kështu që edhe sot këtu, nga hyrja e këtij Kuvendi, përballë këtij baneri, u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të të gjitha partive politike, pa dallim. UÇK-ja nuk është e partive politike, UÇK-ja është e popullit. Jeni deputetë të zgjedhur prej popullit, keni obligim moral, kombëtar e ligjor ndaj popullit të Kosovës që të reflektoni për kërkesat e tyre.

Kështu që shpresoj shumë që ligji të votohet, të thirret në seancë të jashtëzakonshme nëse do të jetë e nevojshme, edhe nga kryetarja e Parlamentit, por edhe nga partitë e tjera, t’i bëjnë nënshkrimet e ta thërrasin seancën, ta votojnë ligjin për UÇK-në”, shtoi Haziri.

Sipas tij, protestat do të vazhdojnë edhe sonte, në orën 19:00, në sheshin “Skënderbeu”, me kërkesën për votimin e ligjit për UÇK-në.

“Kështu që besoj shumë që edhe sonte do të jemi në orën 19:00 dhe do të jemi deri në fund, derisa deputetët tanë të reflektojnë e ta votojnë këtë ligj. Pra, nuk do të ketë kompromis, kërkojmë votimin e këtij ligji. UÇK-ja ka nevojë për këtë ligj, Kosova dhe historia më e lavdishme e Kosovës ka nevojë për këtë ligj. Faleminderit shumë”, deklaroi Haziri.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT