Shkrimtari dhe publicisti i njohur Ben Blushi ka promovuar sonte në Prizren librin e tij më të ri “Jam Mysliman”.
Ky libër trajton tema të ndjeshme dhe komplekse që lidhen me identitetin fetar, kulturor dhe historik të shqiptarëve, duke ofruar një këndvështrim kritik dhe provokues.
Këtë ngjarje e ka përcjellë nga afër gazetarja e Klan Kosovës, Amantina Hasani e cila bëri të ditur se në diskutimin e organizuar në kuadër të promovimit morën pjesë shumë qytetarë dhe dashamirë të librit.
Sipas saj, interesimi ishte i madh, veçanërisht për shkak të titullit të librit, i cili ka nxitur reagime të shumta.
“Për ta përcjellë diskutimin nga paneli i organizuar këtu, u mblodhën shumë qytetarë, dashamirë të librit, ata të cilët janë të interesuar dhe janë të tërhequr sidomos nga titulli, çka edhe ka ngjallur reagime të shumta”, tha ajo.
Hasani tha se panelistët e vlerësuan librin si një vepër të guximshme, duke theksuar se mënyra e trajtimit dhe përfundimet e autorit janë për t’u admiruar.
“Nga panelistët u tha se ky është një libër mjaft i guximshëm dhe mënyra se si është shkruar dhe guximi për të ardhur deri në atë përfundim, është për t’u admiruar dhe kjo është një arsye shumë e madhe që njerëzit ta lexojnë këtë libër”, u shpreh gazetarja.
Nga ana tjetër, vetë autori u ndal sërish te çështja e paragjykimeve, duke vënë theks të veçantë te pjesa e shtjellimit të historisë. /Klankosova.tv


