Monday, September 21, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Para për ndikim në dënim dhe arratisje me veturë zyrtare...

LEX | Para për ndikim në dënim dhe arratisje me veturë zyrtare – sot pritet seanca ndaj Lavdim dhe Ardian Krasniqit

Sot pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, dhe shoferit të tij, Ardian Krasniqi, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Seanca është caktuar për orën 09:30, në Departamentin për Krime të Rënda. Ajo ishte paraparë të mbahej më 3 shtator, por u anulua për shkak të pushimit mjekësor të kryetarit të trupit gjykues. 

Rasti lidhet me akuzat për ushtrim të ndikimit dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Ardian Krasniqi ngarkohet edhe me falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021, Lavdim dhe Ardian Krasniqi dyshohet se, nga janari i vitit 2018 deri në fund të vitit 2019, kishin kërkuar dhe pranuar para e dhurata nga Bashkim Mulolli. Prokuroria pretendon se përfitimet ishin kërkuar në këmbim të ndikimit për uljen e dënimit të tij dhe shtyrjen e ekzekutimit të burgimit. 

Në përshkrimin e akuzës përmenden para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë eurosh.

Një tjetër pretendim i Prokurorisë lidhet me përdorimin e veturës zyrtare të KPK-së për t’i mundësuar A.M. largimin nga Kosova drejt Shqipërisë. Sipas aktakuzës, gjatë këtij veprimi ishin shfrytëzuar logoja zyrtare dhe dritat sinjalizuese të automjetit.

Ardian Krasniqi akuzohet gjithashtu se kishte falsifikuar rezultatet e një testi për COVID-19 për Bashkim Mulollin, me qëllim që t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Procesi po zhvillohet pas kthimit të pjesshëm të çështjes në rigjykim. Gjykata e Apelit anuloi pjesën e aktgjykimit lirues ndaj Lavdim Krasniqit që lidhej me ushtrimin e ndikimit dhe keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, duke kërkuar rivlerësimin e rrethanave dhe provave për këto akuza.

Lavdim Krasniqi i ka mohuar akuzat gjatë gjykimeve të mëparshme. 

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT