Ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, i cili mori pjesë në samitin e Delphit në Greqi, vlerësoi qëndrimin e Kosovës dhe të Shqipërisë, duke theksuar se Izraeli i konsideron të rëndësishme marrëdhëniet me vendet që mbështesin luftën kundër terrorizmit dhe mbajnë qëndrime të qarta në arenën ndërkombëtare.
“Çdo vend që mban qëndrim të qartë kundër Gardës Revolucionare të Iranit dhe organizatave terroriste është diçka që ne e shohim pozitivisht”, ka thënë Olmert për “Klan News”.
Duke folur për luftën në Iran, ish-kryeministrit izraelit tha se edhe pse vendi i tij ka një epërsi ushtarake ndaj Teheranit, rrëzimi i regjimit të Iranit mund të ndodhë pas disa vitesh.
“Në aspektin ushtarak, Izraeli ka një epërsi të qartë ndaj Iranit. Është arritur kontroll ajror dhe janë goditur shumë objektiva ushtarake dhe infrastruktura strategjike. Por pyetja më e rëndësishme është nëse kjo sjell një fitore strategjike afatgjatë. Dhe këtu përgjigjja nuk është e qartë. Unë nuk besoj se rrëzimi i regjimit në Iran mund të ndodhë shpejt. Ky është një proces që mund të zgjasë shumë vite, ndoshta dekada”, deklaroi Ehud Olmert.


