Elon Musk është rikthyer në qendër të vëmendjes me pretendime të reja të bëra në dokumentarin e ri “Musk”, të regjisorit Alex Gibney, i cili u shfaq në Festivalin e Filmit në Venecia. Në dokumentarin gati katërorësh, ish-partnerja e Musk, Ashley St. Clair, ka bërë një sërë deklaratash për marrëdhënien e saj me sipërmarrësin.
St. Clair, e cila është nëna e njërit prej fëmijëve të Musk, pretendon se asaj iu ofruan 40 milionë dollarë, si dhe 100 mijë dollarë në muaj, në këmbim të nënshkrimit të një marrëveshjeje konfidencialiteti. Sipas saj, marrëveshja do ta pengonte atë të shfaqej ose të fliste në dokumentar.
St. Clair bëri publike në shkurt të vitit 2025 se ishte nëna e një fëmije të Musk. Tash, ajo rrëfen në dokumentar detaje të marrëdhënies së tyre dhe qëndrimet e saj ndaj sipërmarrësit.
Në film, St. Clair tregon se Musk i kishte dërguar një mesazh ku i shkruante se donte një “legjion fëmijësh para luftës civile”.
Sipas The Guardian, St. Clair foli në Venecia edhe për frikën që Musk ka shprehur lidhur me një luftë civile. Ajo kritikoi aktivitetin e tij në platformën X, duke thënë se ajo që po bën themeluesi i Teslës nuk mund të injorohet.
“Ai po i fryn flakëve të trazirave që nuk ekzistojnë në botën reale.”
St. Clair e akuzoi gjithashtu Musk për shkaktim të qëllimshëm të përçarjes, për të cilën tha se mund të kishte pasoja katastrofike nëse nuk do të përmbahej.
Dokumentari “Musk” trajton aktivitetet e kompanive të sipërmarrësit, lidhjet e tij me politikën amerikane, rolin e tij në SpaceX, si dhe marrëdhëniet me agjencitë qeveritare.
Filmi kritikon gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë mes kompanive si SpaceX dhe strukturave amerikane të mbrojtjes dhe NASA-s.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


