Friday, May 8, 2026
spot_img
HomeLajmeIrani vendos rregulla të reja për Ngushticën e Hormuzit

Irani vendos rregulla të reja për Ngushticën e Hormuzit

Irani po mundohet që t’i detyrojë transportuesit që të respektojnë një protokoll të ri për kalimin transit nëpër Ngushticën e Hormuzit, në të kundërtën rrezikojnë të sulmohen.

Teherani ka paraqitur një grumbull rregullash të reja për anijet që synojnë të kalojnë transit nëpër rrugën e rëndësishme detare, sipas një dokumenti që e ka parë televizioni CNN, duke ecur tutje në përpjekjet për ta formalizuar kontrollin mbi ngushticën pavarësisht paralajmërimeve nga ShBA-ja.

I titulluar “Deklarata për Informimin e Anijeve”, dokumenti është formë aplikimi që lëshohet nga Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik (PGSA), i themeluar rishtazi, dhe duhet të plotësohet nga të gjitha anijet që kalojnë transit për të siguruar kalim të sigurt. Dokumenti iu ofrua televizionit nga “Lloyds List” dhe një burim tjetër i industrisë së transportit, që dëshiroi të mbetej anonim.

Para se të fillonte fushata ushtarake amerikano-izraelite kundër Iranit në fund të janarit, secila anije me çfarëdo prejardhjeje ishte e lirë që të lundronte nëpër ngushticë. Megjithatë, me fillimin e konfliktit, Irani ka kërcënuar se do të sulmojë cilëndo anije që kalon nëpër Hormuz pa leje nga forca detare e Rojës Revolucionare. Disa anije janë sulmuar, por shumica e pronarëve dhe operatorëve kanë vendosur që të mos rrezikojnë me dërgimin e tyre në kundërshtim me paralajmërimet e autoriteteve iraniane.

Dokumenti i PGSA-së përbëhet nga 40 pyetje, ku kërkohet që të deklarohen emri i anijes dhe numri identifikues, çfarëdo “emri i mëparshëm”, shteti i prejardhjes dhe destinacioni.

Aty kërkohen edhe nacionalitetet e pronarëve dhe operatorëve të regjistruar si dhe të anëtarëve të ekuipazhit, si dhe hollësi rreth ngarkesës.

Sipas PGSA-së, këto të dhëna duhet t’i dërgohen përmes postës elektronike autoritetit para se anija të mund të kalojë transit nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Në një shkresë elektronike nga PGSA-ja përfshihet një paralajmërim se “të dhënat e plota dhe të sakta janë thelbësore” për procesimin e kërkesës së anijes për kalim transit dhe se “udhëzime të mëtejme do të komunikohen përmes postës elektronike”.

Është e paqartë nëse ndonjë kompani e transportit detar ka kërkuar leje nga PGSA-ja. Sipas analistëve, një veprim i tillë do t’i bënte ato të rrezikuara nga sanksionet amerikane.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT