Irani ka bërë të ditur se do të presë përgjigjen zyrtare të negociatorëve amerikanë, pasi presidenti Donald Trump refuzoi propozimin e Teheranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për transportin tregtar brenda shtatë ditësh.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, përmes një postimi në Telegram, konfirmoi se Trump e kishte refuzuar propozimin, por e akuzoi presidentin amerikan se më herët kishte bërë deklarata kontradiktore lidhur me situatën.
Trump deklaroi të shtunën se propozimi iranian nuk ishte “i pranueshëm”, duke thënë se Teherani kërkonte një marrëveshje për hapjen e menjëhershme të ngushticës, pasi, sipas tij, Irani po pësonte humbje të mëdha, njofton BBC.
Araghchi tha se Irani është në pritje të qëndrimit përfundimtar të SHBA-së përmes ndërmjetësve dhe se më pas do të marrë vendimin e tij.
“Ne po presim që ndërmjetësit të na përcjellin pikëpamjet përfundimtare dhe do të marrim një vendim bazuar në to”, shkroi ai.
Sipas ministrit iranian, kushtet për hapjen e Ngushticës së Hormuzit janë të njëjta me ato të përfshira në një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga SHBA-ja dhe Irani në qershor.
Irani ka thënë se gjatë negociatave të zhvilluara në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka diskutuar edhe mundësinë e rihapjes së ngushticës dhe përfundimit të armiqësive.
Ngushtica e Hormuzit është një prej rrugëve më të rëndësishme energjetike në botë, përmes së cilës zakonisht transportohet rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz. Sipas raportimeve, ajo ka qenë praktikisht e mbyllur që nga shpërthimi i luftës në shkurt.
“Po e refuzoj marrëveshjen e tyre”, deklaroi Trump, duke shtuar se SHBA-ja tashmë ka “kontroll të plotë” mbi ngushticën dhe se përmes saj po kalojnë sasi të mëdha nafte.
Ndërkohë, Omani, i cili ka ndërmjetësuar mes Uashingtonit dhe Teheranit, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë dialogun për zgjidhjen e krizës dhe garantimin e lundrimit në këtë rrugë strategjike.
Edhe ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, e ka mbështetur refuzimin e Trumpit, duke e cilësuar propozimin iranian si “gjysmë-masa” dhe marrëveshje “iluzore”.
Në anën tjetër, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se presioni ekonomik i SHBA-së po ndikon në Iran. Ai pretendoi se Turqia, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pezulluar fluturimet e disa kompanive ajrore iraniane, ndërsa disa banka në Emirate dhe Turqi kanë ndaluar transaksionet me Iranin.
Administrata Trump e ka quajtur fushatën e saj të presionit ekonomik ndaj Iranit “Operation Economic Outcast” dhe po përdor sanksione për ta detyruar Teheranin të ndalojë sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, disa ekonomistë kanë vënë në pikëpyetje efektivitetin e sanksioneve, duke theksuar se ndikimi i tyre varet edhe nga reagimi i partnerëve kryesorë tregtarë të Iranit, veçanërisht Kinës, e cila mbetet blerësi më i madh i naftës iraniane dhe ka vazhduar tregtinë me Teheranin pavarësisht sanksioneve të mëparshme amerikane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


