Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Moska ishte e gatshme të shqyrtonte rifillimin e negociatave me Kievin pas zgjedhjeve, por ka akuzuar Ukrainën për sulme ndaj Moskës dhe qendrave të votimit.
Duke folur për gazetarët në Shën Petersburg, Putin tha se propozimet për një zgjidhje paqësore mbeten “në tryezë”, ndërsa Rusia, sipas tij, do ta shqyrtojë seriozisht çështjen dhe do të marrë vendim në përputhje me interesat e saj.
Putin pretendoi se sulmet ukrainase kishin shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturën civile dhe energjetike, si dhe në më shumë se 100 anije në Detin e Zi.
Presidenti rus tha se përgjigjja e Moskës ndaj këtyre sulmeve kishte qenë e ashpër dhe pretendoi se Kievi tani po kërkon ndalimin e goditjeve, përfshirë ato ndaj infrastrukturës energjetike.
Ai hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se Rusia po përgatitet për një luftë me Evropën.
“Ne nuk po përgatitemi për asnjë veprim ushtarak me Evropën. Nuk kemi plane të tilla. Dhe, më e rëndësishmja, nuk ka baza për to”, tha Putin.
Ai akuzoi disa “qarqe agresive” në Evropë se po e përdorin Ukrainën si mjet kundër Rusisë dhe se po përpiqen të justifikojnë vazhdimin e mbështetjes për Kievin duke e paraqitur Moskën si kërcënim.
Putin foli edhe për marrëdhëniet ekonomike me SHBA-në dhe Kinën, duke thënë se tregtia mes Rusisë dhe SHBA-së është aktualisht “pothuajse zero”, ndërsa tregtia me Kinën ka arritur në rreth 240 miliardë dollarë.
Ai tha se pjesëmarrja e tij në samitin e ardhshëm të APEC-ut në Kinë ende nuk është finalizuar dhe se vendimi do të varet nga situata brenda Rusisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


