Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani mbetet i hapur për një “diplomaci të vërtetë”, por paralelisht është i përgatitur të përballet me çdo sulm të ri amerikan.
Araghchi paralajmëroi se një përshkallëzim i mëtejshëm mund të çojë në atë që ai e cilësoi si “luftë apokaliptike”, ndërsa tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të jenë të larta.
Deklarata vjen në kohën kur po zhvillohen përpjekje diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se pret që gjatë kësaj jave të zhvillohen bisedime të tjera me Iranin.
Trump gjithashtu ka thënë se beson se SHBA-ja do ta fitojë luftën me Iranin “shumë shpejt”.
Ndërkohë, ushtria amerikane ka mohuar pretendimet e Teheranit se forcat iraniane kanë sekuestruar një dron të avancuar nënujor amerikan në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët kryesore strategjike për transportin global të naftës.
Në një zhvillim tjetër, pesë persona janë arrestuar pranë një baze ajrore në Britani, e cila përdoret nga Shtetet e Bashkuara për operacionet kundër Iranit. Autoritetet britanike dyshojnë për vepra të lidhura me eksplozivë dhe terrorizëm.
Si masë sigurie, banorët pranë bazës janë evakuuar, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


