Qytetarët në Iran po vazhdojnë të përballen me kufizime të rënda në qasjen ndaj internetit, pasi ndërprerja e vendosur nga autoritetet shtetërore ka hyrë në javën e 11-të.
Sipas organizatës monitoruese NetBlocks, shumica e popullsisë në vend mbetet e shkëputur nga rrjeti global, duke mos pasur qasje në shërbimet bazë online dhe komunikimet digjitale.
Në raportin e saj, NetBlocks thekson se kjo situatë përbën një pengesë serioze për informacionin, edukimin dhe komunikimin e përditshëm të qytetarëve iranianë, të cilët po përballen me vështirësi të mëdha në jetën e tyre të përditshme.
Ndërkohë, pavarësisht kufizimeve të gjera për publikun, raportimet tregojnë se zyrtarë të lartë në Iran vazhdojnë të përdorin rrjetet sociale për komunikim dhe deklarata publike.
Situata e vazhdueshme ka ngritur shqetësime ndërkombëtare për lirinë e informacionit dhe të drejtat digjitale në vend.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


