Dy motra nga Topanica e Kamenicës humbën jetën tragjikisht në një aksident të rëndë në Gjermani, të shtunën e 20 qershorit.
Erza dhe Aulona Zubaku nuk arritën t’iu bëjnë ballë plagëve që morën pas përplasjes në autostradën A5, pranë Appenweier dhe për pasojë vdiqën, transmeton Klankosova.tv.
Sipas autoriteteve gjermane, pak pas orës 11:30 të së shtunës, pranë zonës së pushimit Renchtal, ndodhi një përplasje anësore mes dy veturave gjatë një manovre për ndërrimin e korsisë nga ajo e mesme në të majtën.
Si pasojë, ndodhi edhe aksidenti fatal, për çka i mllefosur dhe i indinjuar u shpreh gazetari shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër, Nefail Maliqi.
“Është shkaktuar një aksident zinxhiror, ku në fakt [dy makinat] kanë qenë një garë, duke u shtyr mes veti, dhe siç themi ne shpesh, i kanë marrë në qaf njerëzit e tjerë”, u shpreh gazetari në emisionin “Kosova Today”.


