Sunday, September 27, 2026
spot_img
HomeLajme“I dorëzuam valixhet, pritëm me orë dhe na e anuluan fluturimin”, qytetari...

“I dorëzuam valixhet, pritëm me orë dhe na e anuluan fluturimin”, qytetari për Sinjalin: “Air Prishtina” na la pa asnjë informacion

Një numër udhëtarësh kanë mbetur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pasi fluturimi i planifikuar për në orën 08:45 është anuluar, ndërsa pasagjerët nuk kanë marrë asnjë informacion të qartë nga kompania “Air Prishtina”.

Kështu ka bërë të ditur një sinjalizues për Gazetën Sinjali, i cili ka thënë se udhëtarët kanë dorëzuar bagazhet dhe kanë pritur për orë të tëra në aeroport, para se të kuptonin se fluturimi ishte anuluar.

Një qytetar nga Zvicra ka kontaktuar Gazetën Sinjali, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si kompania po i trajton udhëtarët në raste të anulimit të fluturimeve.

Sipas tij, familjarët e tij, përfshirë edhe një fëmijë dyvjeçar, kanë shkuar në aeroport, kanë dorëzuar valixhet dhe kanë pritur për orë të tëra, për t’u njoftuar më pas se fluturimi është anuluar.

“Po blejmë bileta, po shkojmë në aeroport, po i dorëzojmë krejt valixhet dhe po presim me orë të tëra. Në fund po na anulohet fluturimi, pa informacion, pa asgjë. Informacionin po e marrim vetëm nga televizionet, ndërsa në aeroport askush nuk na jep përgjigje”, ka thënë sinjalizuesi për Sinjalin.

Ai pretendon se pasagjerët nuk kanë marrë udhëzime se çfarë duhet të bëjnë pas anulimit të fluturimit, nëse duhet të kthehen në shtëpi apo të presin për një fluturim tjetër.

“Familjarët e mi janë aty, nuk dinë a me u kthy në shtëpi apo me prit për një fluturim tjetër. Askush nuk din asgjë. Është edhe një vajzë dyvjeçare me ta”, ka deklaruar ai.

Sinjalizuesi thotë se ka tentuar të kontaktojë kompaninë përmes numrave të telefonit në Kosovë dhe Zvicër, si dhe përmes rrjeteve sociale, por pretendon se nuk ka marrë përgjigje.

“E kemi thirrur në numrat e Kosovës, në tre numrat e Zvicrës, i kemi shkruar edhe në rrjete sociale, por asnjë përgjigje. Tash as numrat nuk po na funksionojnë”, ka thënë ai.

Madje, qytetari nga Zvicra ka thënë se kjo nuk është hera e parë që fluturimet anulohen dhe nuk marrin as edhe një përgjigje nga kjo kompani.

Gazeta Sinjali ka provuar disa herë të kontaktojë “Air Prishtina” për të marrë një sqarim lidhur me anulimin e fluturimit dhe situatën e udhëtarëve, por kompania ka qenë e paqasshme.

Sinjali do të përcjellë rastin dhe do të raportojë nëse kompania jep ndonjë sqarim për anulimin e fluturimit dhe masat që do të ndërmerren për udhëtarët e prekur.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT