Sunday, September 27, 2026
spot_img
HomeLajmeKapet në Shqipëri 38-vjeçari nga Kosova, ishte dënuar për falsifikim parash në...

Kapet në Shqipëri 38-vjeçari nga Kosova, ishte dënuar për falsifikim parash në Pejë

Policia e Shtetit ka vijuar operacionin ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me autoritetet homologe dhe Drejtorinë e Interpolit, duke arrestuar dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, njëri prej tyre, shtetasi E. D., 47 vjeç, është arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimin në Itali.

Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, ndërsa në maj të vitit 2026 Gjykata e Bolonjës kishte lëshuar urdhër-arrest ndaj tij për pjesëmarrje në bashkëpunim kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Sipas autoriteteve shqiptare, E. D. dyshohet se gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka organizuar dhe kryer blerjen, transportimin, importimin, magazinimin dhe mbajtjen e sasive të mëdha të narkotikëve, përfshirë marijuanë, hashash dhe kokainë, të cilat dyshohet se janë trafikuar drejt Italisë për t’u shitur.

Ndërkohë, në Rinas është arrestuar me qëllim ekstradimi në Kosovë shtetasi kosovar H. K., 38 vjeç.

Ai është dënuar në vitin 2022 nga Gjykata e Apelit në Pejë me një vit e gjashtë muaj burgim për falsifikim të kartëmonedhave.

Autoritetet kosovare dyshojnë se gjatë vitit 2021, në bashkëpunim me persona të tjerë, H. K. ka tentuar të hedhë në treg në Pejë rreth 15 mijë dollarë të falsifikuar.

Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me autoritetet në Itali dhe Kosovë për përfundimin e procedurave ligjore dhe ekstradimin e dy të arrestuarve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT