Një gjykatë në SHBA ka dhënë një dënim historik ndaj babait të një adoleshenti që kreu një sulm vdekjeprurës në një shkollë, duke e shpallur atë përgjegjës për veprimet që çuan në një nga tragjeditë më të rënda shkollore në Gjeorgji.
Colin Gray, 55 vjeç, u dënua me 15 vjet burg, pasi u shpall fajtor për vrasje dhe vrasje pa dashje, jo sepse ai kishte kryer sulmin, por për shkak të neglizhencës së tij në lidhje me armën që përdori i biri.
I veshur me uniformë burgu dhe me pranga në duar, Gray dëgjoi vendimin e gjykatësit Nicholas Primm, i cili theksoi se rasti ishte i pazakontë, pasi krimet e tij ishin të lidhura drejtpërdrejt me krimet e djalit të tij, raporton CNN, transmeton Sinjali.
“Ka rëndësi që nuk e dije se Colt do të shkonte në shkollë për të bërë këtë. Ka rëndësi që nuk e planifikove sulmin dhe nuk tërhoqe këmbëzën”, tha gjykatësi, duke sqaruar se dënimi lidhej me përgjegjësinë e tij si prind.
Ngjarja që solli këtë proces gjyqësor ndodhi më 4 shtator 2024, në shkollën e mesme Apalachee në Winder, Gjeorgji. Atë ditë, Colt Gray, atëherë vetëm 14 vjeç, hyri në shkollë me një armë dhe vrau katër persona – dy nxënës dhe dy mësues – ndërsa shtatë të tjerë u plagosën.
Prokuroria argumentoi se babai i tij kishte blerë pushkën e tipit AR-15 si dhuratë për djalin dhe e kishte lënë armën të pasiguruar, pavarësisht shqetësimeve dhe paralajmërimeve se adoleshenti mund të paraqiste rrezik.
Rasti i Colin Gray është bërë një pikë kthese në debatet amerikane për pyetjen se deri ku mund të shkojë përgjegjësia e prindërve kur fëmijët e tyre kryejnë sulme masive.
Vetë Colt Gray, tashmë 16 vjeç, u dënua më herët me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi, pasi pranoi fajësinë për 55 akuza penale, përfshirë katër akuza për vrasje me dashje.
Ky rast ka ngjashmëri me atë të familjes Crumbley në Miçigan, ku prindërit e një 15-vjeçari që vrau katër nxënës në vitin 2021 u dënuan gjithashtu për vrasje pa dashje.
Për komunitetin e Winder-it, java e vendimeve gjyqësore ka rikthyer dhimbjen e asaj dite, ndërsa shkolla Apalachee përgatitet të nisë një tjetër vit mësimor nën hijen e tragjedisë që ndryshoi përgjithmonë atë komunitet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


