Friday, June 26, 2026
spot_img
HomeLajmeHoxhaj kritikon qeverinë për gazin amerikan: Kosova po izolohet me vendime të...

Hoxhaj kritikon qeverinë për gazin amerikan: Kosova po izolohet me vendime të gabuara politike

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratës së ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se Qeveria në detyrë nuk është kundër gazit, por se strategjia energjetike e vendit bazohet në burimet vendore dhe teknologjitë që, sipas saj, janë më të favorshme ekonomikisht.

Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti ndaj projekteve energjetike, duke thënë se vendimet e marra kanë larguar Kosovën nga mundësitë për t’u përfshirë në korridoret e gazit amerikan, raporton Klankosova.tv.

Sipas tij, pavarësia energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe një domosdoshmëri gjeopolitike për ruajtjen e angazhimit amerikan në Kosovë.

“Me 2019, Qeveria Kurti anuloi projektin e Kosovës me ContourGlobal. Me 2021, refuzoi projektin amerikan të gazit të mbështetur nga ShBA. Sot, po refuzon edhe një mundësi tjetër për t’u kyçur në korridoret e gazit amerikan, duke u rikthyer sërish te i njëjti argument, qymyri”.

“Pavarësia energjetike është një domosdoshmëri ekonomike për zhvillimin e vendit, por edhe domosdoshmëri gjeopolitike për ta mbajtur SHBA-në të angazhuar në Kosovë. Këtë e kanë kuptuar të gjitha vendet e Ballkanit dhe Evropës. Edhe Serbia po lidhet me korridoret e gazit të lëngshëm (LNG), ndërsa Kosova vazhdon të izolohet me vendime të gabuara politike. Kosovës nuk i duhen arsyetime pse nuk lidhet me gazin amerikan. Kosovës i duhet vizion dhe vendimmarrje strategjike për t’u bërë pjesë e tij”, shkroi deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj. /Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT