Wednesday, August 26, 2026
spot_img
HomeLajmePolicia konfirmon raportimin e Sinjalit: 22-vjeçari kosovar u ekstradua nga Maqedonia e...

Policia konfirmon raportimin e Sinjalit: 22-vjeçari kosovar u ekstradua nga Maqedonia e Veriut

Është konfirmuar raportimi i mëhershëm ekskluziv i Sinjalit për ekstradimin në Kosovë të 22-vjeçarit Granit Kurtaj, i cili ishte arrestuar javën e kaluar në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar.

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 26 gusht, shtetasi kosovar me inicialet G.K. është ekstraduar nga Maqedonia e Veriut për në Kosovë, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë kosovare.

Siç kishte raportuar ekskluzivisht Sinjali, bëhet fjalë për Granit Kurtajn, ndaj të cilit burimet kishin bërë të ditur se ishin lëshuar gjithsej 13 urdhërarreste.

Sipas njoftimit të Policisë, Kurtaj kërkohej për veprat penale “Vjedhja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, për të cilat ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv.

Ekstradimi i tij është realizuar në pikëkalimin kufitar në Han të Elezit, ku ai u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës, përkatësisht DRP-së në Prizren, për procedura të mëtejme ligjore.

Kurtaj ishte arrestuar të premten në zonën e Bit Pazarit në Shkup, nga zyrtarët e Sektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor të Maqedonisë së Veriut.

Në momentin e arrestimit, autoritetet maqedonase kishin bërë të ditur se ai kërkohej nën dyshimet për vjedhje, vjedhje të rëndë, lëndim trupor dhe zhvatje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT