Saturday, August 8, 2026
spot_img
HomeLajmeHistoriku i telasheve në Kuvend: Gaz lotsjellës e vezë pati me bollëk...

Historiku i telasheve në Kuvend: Gaz lotsjellës e vezë pati me bollëk (VIDEO)

22 shtatori i 2015-ës është hera e parë kur opozita e asaj kohe, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, gjuajti ish-kryeministrin Isa Mustafa, i cili po mbante fjalimin për ujdinë e 25 gushtit të arritur në Bruksel.

Vezët e LVV-së krijuan kaos në Kuvend, situatë kjo që Hashim Thaçi, si zëvendës i Mustafës, e priste me buzëqeshje, raporton Klan Kosova.

Rreth dy javë më vonë, Vetëvendosje, Aleanca dhe NISMA bllokuan punën e Kuvendit. Kryeprotagonisti Kurti fishkëllente me filikaçë.

Kur kjo nuk bëri punë, gazi lotsjellës ishte zgjidhja e opozitës që ato ditë kundërshtonin Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Gazi lotsjellës ishte pjesë përbërëse e pajisjeve të deputetëve të opozitës gjatë tërë atij viti, duke i fshehur bombolat në vendet më të pazakonshme në trupin e tyre.

Kuvendi mbeti i njëjti edhe në 2016-ën, ndërsa më 19 shkurt u kërkua dorëheqja e qeverisë Mustafa-Thaçi. Shqipe Pantina e LVV-së bëri hedhjen e parë të gazit.

Po atë shkurt, tensione solli edhe çështja e zgjedhjes së presidentit, ku diskutohej që Hashim Thaçi të merrte këtë pozitë.

Disa ditë pas, në ditën kur do të zgjidhej Thaçi president, punimet u ndërprenë përsëri me tym të lotsjellësit. Policia largoi disa deputetë që bënin sherr. Pavarësisht tensioneve, Thaçi u zgjodh president në raundin e tretë me 71 vota.

Pas një pauze në mars, skenari vazhdoi sërish. Kësaj here u aplikuan edhe disa forma të tjera, si pajisje me dritë laser, por kjo gjë u mor më me humor.

Meqë laseri nuk krijoi kaos, siç duket se deshën opozitarët, iu kthyen metodës së vjetër – gazit lotsjellës.

Dy vjet më vonë, më 2018, votimi për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese mori përmasa të tjera, kësaj here me grushte. Xhavit Haliti i PDK-së u përplas fort me Arben Gashin e LDK-së.

Kuvendi pushoi nga hallakama përsëri dy vjet, deri më 2020, kur ndodhi një tjetër përplasje fizike mes Hajrullah Çekut e Hekuran Muratit të LVV-së me Arben Gashin e LDK-së, pas një debati për personat e pagjetur.

Mirëpo, më 2023, në Kuvend ndodhi një përleshje e bujshme teksa kryeministri Albin Kurti fliste se veriun e ka menaxhuar mirë, e në anën tjetër akuzohej se kishte prishur marrëdhëniet me BE-në e SHBA-në.

Mërgim Lushtaku i hodhi ujë Kurtit, ndërsa Besnik Bislimi reagoi duke hedhur shishe uji në drejtim të Lushtakut.

Më pas, deputetë të PDK-së dhe LVV-së u përfshinë në përleshje, dhe sigurimi ndërhyri për t’i ndarë.

Për krejt këto zhvillime, ndiqeni kronikën e plotë në vijim:

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT