Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar sërish ndaj sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, përcjell KosovaPost.
Me anë të një postimi në “X”, ai ka ngritur shqetësime për përfshirjen e aktorëve të huaj në këtë incident.
Sipas tij, të arrestuarit janë të lidhur me organizatën “Mbrojtja Civile,” e cila financohet dhe mbështetet nga Beogradi.
Kryeministri Kurti ka theksuar se armët dhe eksplozivët e sekuestruar përfshinin shenja ushtarake që lidhen kryesisht me forcat serbe dhe ruse, duke përmendur veçanërisht Forcat Ajrore Ruse (VDV).
“Shumica dërrmuese e tyre i përkisnin Forcave të Armatosura Serbe dhe Ruse, si Forcave Ajrore Ruse (VDV). Lidhjet e personave të arrestuar me organizatën terroriste “Mbrojtja Civile” e sponsorizuar nga Beogradi tregojnë praninë e aktorëve të huaj”, ka shkruar ai.
Shefi i qeverisë gjithashtu rikujtoi aktivitetet paramilitare serbe në veri të Kosovës vitin e kaluar dhe sponsorizimin e vazhdueshëm të krimit nga Serbia si një faktor kryesor destabilizues.
“Natyrisht, ngjarjet terroriste nuk ndodhin në vakum. Në këtë kontekst, inkursioni paraushtarak i Serbisë vitin e kaluar dhe sponsorizimi i vazhdueshëm i krimit përmes metodave të ndryshme në veri të Kosovës lë pak hapësirë për spekulime”, u shpreh Kurti.
Mes të tjerash ai theksoi se hetimet janë ende në vazhdim dhe se do të publikohen detaje të mëtejshme për përfshirjen e aktorëve të huaj.
“Megjithatë, hetimi është në vazhdim, dhe detaje të mëtejshme – së bashku me numrin e palëve të huaja të përfshira – do të zbulohen”, ka shkruar Kurti.


