Një fenomen i veçantë astronomik pritet të ndodhë më 27 dhe 28 gusht, kur një eklips i thellë hënor do të jetë i dukshëm në pjesë të mëdha të Amerikës së Veriut.
E ashtuquajtura “Hëna e gjakut” ndodh gjatë një eklipsi hënor, kur Toka pozicionohet mes Diellit dhe Hënës. Gjatë këtij procesi, Hëna merr një ngjyrë të kuqe ose portokalli të errët.
Sipas të dhënave astronomike, rreth 96 për qind e sipërfaqes së Hënës do të mbulohet nga hija e Tokës, duke e bërë ngjarjen shumë pranë një eklipsi total.
Ngjyra karakteristike e kuqe krijohet nga atmosfera e Tokës. Ajo shpërndan më shumë dritën blu, ndërsa valët e kuqe të dritës kalojnë përmes atmosferës dhe arrijnë deri te sipërfaqja e Hënës.
Faza më e madhe e eklipsit pritet të ndodhë më 28 gusht, rreth orës 00:12 sipas kohës lindore të SHBA-së.
Eklipsi i plotë do të mund të vëzhgohet në pjesën lindore të Amerikës së Veriut dhe në të gjithë Amerikën e Jugut. Ndërkohë, në pjesën perëndimore të Amerikës së Veriut, si dhe në disa zona të Afrikës dhe Evropës, do të jetë i dukshëm vetëm një eklips i pjesshëm, sipas NASA-s.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


