Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u bëri thirrje të shtunën aleatëve aziatikë të rrisin shpenzimet ushtarake për t’iu kundërvënë fuqisë në rritje të Kinës, duke paralajmëruar se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake kineze paraqet një sfidë serioze për sigurinë rajonale.
Duke folur në Dialogun Shangri-La në Singapor, forumin më të rëndësishëm të Azisë për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, Hegseth tha se një rrjet më i fortë dhe më i pavarur aleatësh është thelbësor për të penguar agresionin dhe për të ruajtur ekuilibrin e fuqisë në rajon.
“Ekziston alarm i drejtë në lidhje me rritjen historike ushtarake të Kinës dhe zgjerimin e aktiviteteve të saj ushtarake në rajon dhe më gjerë”, deklaroi ai.
Sipas Hegsethit, asnjë shtet, përfshirë Kinën, nuk duhet të jetë në gjendje të imponojë hegjemoninë e tij apo të rrezikojë sigurinë dhe prosperitetin e SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Shefi i Pentagonit tha se Uashingtoni pret që partnerët dhe aleatët aziatikë të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në nivelin 3.5 për qind, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë premtuar investime prej 1.5 trilion dollarësh në forcimin e ushtrisë së tyre.
“Më pak Shangri-La, më shumë anije, më shumë nëndetëse”, tha Hegseth, duke theksuar nevojën për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse në rajon. Ai shtoi se aleatët e SHBA-së kërkojnë stabilitet dhe jo përshkallëzim të tensioneve.
Megjithatë, Hegseth mbajti një ton më të moderuar sa i përket marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kinës, duke vlerësuar se ato janë “më të mira se sa kanë qenë në shumë vite”. Sipas tij, kontaktet më të shpeshta mes ushtrive të dy vendeve po ndihmojnë në menaxhimin e tensioneve.
“Ne po takohemi më shpesh me homologët tanë kinezë, duke mbajtur linja të hapura komunikimi ushtarak”, tha ai.
Nga ana tjetër, Zhou Bo, bashkëpunëtor i lartë në Universitetin Tsinghua dhe kolonel në pension i Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, e përshkroi raportin mes dy fuqive si “të ndërlikuar”, por vlerësoi se Hegseth përdori një gjuhë më të butë krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas tij, komunikimi i vazhdueshëm mes Pekinit dhe Uashingtonit ka ndihmuar në uljen e tensioneve.
“Të dyja palët kanë kanale të hapura komunikimi. Situata nuk është aq e ekzagjeruar sa e paraqet bota e jashtme”, deklaroi Zhou.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


