Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka reaguar pasi partia e tij ka dalë me një qëndrim sa i përket krizës politike në vend.
Pas mbledhjes që ka mbajtur sot me grupin parlamentar të saj, LDK-ja është tërhequr nga kërkesat për pozita, duke thënë se do të qëndrojë në opozitë.
Për këtë qëndrim, Haziri ka shkruar më pas në rrjetin social Facebook, por gjithashtu ka kritikuar edhe veprimet e një dite më parë që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës dhe tensionet që janë krijuar në sallën plenare.
“E patë qysh n’pikë t’ditës VV e shndërroi sallën e Kuvendit të Republikës në zallamahi! Salla plenare e Kuvendit të Republikës nuk bën të kthehet në han ku vlojnë sharjet e thirrjet për vrasje. Ne nuk duhet të ballafaqohemi me mërgimtarët, por me ata që e mbajnë derën e mbyllun për deputetë dhe me ata hapin dyer për sharje e thirrje për vrasje!”, ka shkruar Haziri.
Ai ka shtuar se mendësinë parti-shtet e kanë rrënuar shumë kohë më parë, duke thënë se LDK-ja nuk kërkon asgjë.
“Gjithçka për Republikën. LDK nuk kërkon asgjë pos rolit të saj shtetnor për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit e Qeverisë. Por, mos e harroni se mendësinë parti-shtet e kemi rrënu moti kohë. Kemi qenë përherë besë e shpresë për Republikën. Pas dy vitesh, LDK i rikthehet pragmatizmit, ajo që tradicionalisht e ka karakterizu partinë që inicoi e shkaktoi procese, për ta realizu andrrën e shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci. Kur ofrohesh për bashkëpunim e nuk të pranohet, atëherë jemi shtyrë në shkaktim të proceseve të reja. Proceseve politike e jo zgjedhore.”, ka thënë ai. /Klankosova.tv


