Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka komentuar projektligjin për Gjykatën Speciale, duke thënë se nuk do të mbështesë iniciativa që, sipas saj, bëhen vetëm për të krijuar përshtypjen se po ndërmerret diçka.
“Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka për qëllim veç me u duk që po bëjmë diçka”, tha Haxhiu në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ajo tha se nuk dëshiron ta paragjykojë nismën e PDK-së, duke theksuar se çdo veprim në këtë fazë duhet të jetë i menduar mirë.
“Nuk po du me paragjyku nismën e PDK-së. I ftoj grupet që të mos bëjnë propozime vetëm sa për t’u dukur që megjithatë po bëjmë diçka dhe nuk kanë ndonjë peshë”, deklaroi ajo.
Haxhiu tha se pas vendimit të shkallës së parë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, duhet pasur kujdes në veprimet që ndërmerren lidhur me këtë çështje.
“Në këtë fazë, pas vendimit të padrejtë të shkallës së parë, secili nga ne duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Haxhiu.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


