Thursday, May 7, 2026
spot_img
HomeLajmeHaxhiu me thirrje ndaj ndërkombëtarëve për trajtimin e të drejtave të shqiptarëve...

Haxhiu me thirrje ndaj ndërkombëtarëve për trajtimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se vërejtjet e CERD-it ndaj Serbisë kanë konfirmuar shqetësimet për trajtimin e shqiptarëve të Luginës nga Serbia.

Haxhiu e quajti pasivizimin e adresave atje si diskriminimin dhe cenim të pranisë juridike të qytetarëve, dhe u bëri thirrje ndërkombëtarëve që ta prioritizojnë këtë çështje.

“Vërejtjet përfundimtare të Komitetit të OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD) ndaj Serbisë e konfirmojnë shqetësimin e ngritur prej vitesh nga shqiptarët në Luginë dhe nga institucionet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes rezolutës së miratuar më 24 prill 2026, për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, e ka trajtuar këtë çështje si përgjegjësi shtetërore. Tani, pas gjetjeve të CERD-it, kjo përgjegjësi ka edhe një adresë të qartë ndërkombëtare”.

“Pasivizimi i adresave është diskriminim dhe cenim i pranisë juridike të qytetarëve, me ç’rast u mohohen dokumentet, shërbimet dhe siguria para ligjit”.

“Prandaj u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë, mekanizmave të OKB-së, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, që këtë çështje ta trajtojnë me prioritet dhe të kërkojnë nga Serbia zbatim të plotë të rekomandimeve të CERD-it. Të drejtat e shqiptarëve në Luginë nuk mund të mbeten në margjinë të raporteve. Ato duhet të jenë pjesë e qartë e dialogut politik, e monitorimit ndërkombëtar dhe e çdo procesi ku matet sundimi i ligjit dhe trajtimi i pakicave”.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT