Trajnerja shqiptare Elena Sadiku është nominuar për çmimin e trajneres më të mirë të vitit në futbollin e femrave, në kuadër të ceremonisë së Topit të Artë 2026.
Sadiku është në mesin e pesë trajnereve që do të garojnë për këtë çmim prestigjioz. Përballë saj janë Jonatan Giráldez i Lyonit, Andrée Jeglertz e Manchester Cityt, Nils Nielsen i Kombëtares së Japonisë dhe Pere Romeu i Barcelonës.
Nominimi përbën një tjetër sukses të rëndësishëm për Sadikun, duke e vendosur atë mes emrave më të vlerësuar të futbollit të femrave në botë.
Listat zyrtare të nominimeve për Topin e Artë 2026 po publikohen nga France Football, në bashkëpunim me UEFA-n.
Në kategorinë e klubeve më të mira të femrave është nominuar edhe Barcelona, e cila fitoi kampionatin spanjoll dhe Ligën e Kampionëve. Në garë janë edhe Bayern Munich, Manchester City dhe Lyon.
Ndërkohë, për klubin më të mirë të meshkujve janë nominuar Arsenal, Bayern Munich, Bodø/Glimt, Flamengo dhe Paris Saint-Germain.
Në garën për trajnerin më të mirë të meshkujve janë Mikel Arteta, Luis de la Fuente, Unai Emery, Luis Enrique dhe Vincent Kompany. Jashtë kësaj liste kanë mbetur emra të njohur si Pep Guardiola, Hansi Flick, Diego Simeone dhe Lionel Scaloni.
Fituesit e Topit të Artë dhe çmimeve të tjera përcaktohen përmes votimit të gazetarëve sportivë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa në vlerësim merren parasysh paraqitjet individuale dhe kolektive, trofetë, vazhdimësia dhe ndikimi gjatë sezonit.
Ceremonia e Topit të Artë 2026 do të mbahet më 26 tetor në Londër.
Për publikun shqiptar, vëmendja do të jetë veçanërisht te Elena Sadiku, e cila tashmë është zyrtarisht në garë për një nga çmimet më të rëndësishme në futbollin e femrave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


