Wednesday, July 1, 2026
spot_img
HomeLajmeHaxhiu: Mbështetja amerikane hapi rrugën e lirisë së Kosovës

Haxhiu: Mbështetja amerikane hapi rrugën e lirisë së Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur mirënjohjen e Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë, duke vlerësuar rolin historik të SHBA-së në mbështetjen e lirisë, vetëvendosjes dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Në fjalën e saj, Haxhiu tha se përvjetori i Pavarësisë amerikane rikthen në vëmendje parimin themelor mbi të cilin u ndërtua revolucioni amerikan – se pushteti buron nga populli dhe legjitimitetin e merr prej tij.

“Përgjigjja që u dha më 1776 ishte e guximshme për kohën e saj dhe mbetet kërkuese edhe sot. Pushteti nuk qëndron mbi popullin. Legjitimitetin e merr prej tij dhe duhet të mbahet brenda kufijve të ligjit, përfaqësimit dhe qytetarisë së barabartë”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se shqiptarët e kanë kuptuar herët rëndësinë e këtyre parimeve, duke kujtuar rolin e presidentit amerikan Woodrow Wilson në mbrojtjen e çështjes shqiptare gjatë Konferencës së Paqes në Paris, pas Luftës së Parë Botërore.

Në fjalimin e saj, Haxhiu vlerësoi gjithashtu kontributin e figurave të shquara shqiptare në Shtetet e Bashkuara, si Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët, sipas saj, e kthyen mërgatën shqiptare në një zë të rëndësishëm politik, kulturor dhe kombëtar përmes organizimit të shoqatave, botimeve dhe angazhimit diplomatik.

Ajo përmendi edhe Hasan Prishtinën si një prej figurave që artikuloi kërkesën për vetëvendosjen e shqiptarëve, duke theksuar se kjo ide u bë më vonë themel i historisë moderne të Kosovës.

Duke folur për luftën e fundit në Kosovë, Haxhiu tha se ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr politikisht nga Shtetet e Bashkuara, ishte vendimtare për ndalimin e luftës dhe hapjen e rrugës drejt lirisë së Kosovës.

“Nën udhëheqjen e Presidentit Bill Clinton, me Sekretaren Madeleine Albright në qendër të diplomacisë amerikane, Shtetet e Bashkuara qëndruan në ballë të ndërhyrjes së NATO-s, duke i dhënë forcë politike e diplomatike përpjekjes që ndali luftën dhe ia hapi Kosovës rrugën drejt lirisë. Për popullin e Kosovës, udhëheqja amerikane u bë pjesë e historisë sonë kombëtare, sepse ndryshoi rrjedhën e saj”, deklaroi Haxhiu.

Sipas saj, liria e Kosovës u materializua në ndërtimin e institucioneve demokratike, rendit kushtetues dhe shtetit të pavarur, ndërsa mbështetja amerikane mbetet një pjesë e pandashme e këtij rrugëtimi.

Në përmbyllje, Haxhiu tha se urimi i Kosovës për SHBA-në shoqërohet me mirënjohjen e një Republike sovrane, duke theksuar se mënyra më e mirë për ta nderuar këtë mbështetje është ndërtimi i një shteti të denjë për qytetarët e tij.

“Këtë miqësi e nderojmë me mirënjohje, me kujtesë dhe me përgjegjësinë për të ndërtuar një shtet të denjë për lirinë që fituam. Gëzuar 250-vjetorin e Pavarësisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Haxhiu.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT