Sunday, May 3, 2026
spot_img
HomeLajmeHaxhiu: Hapësira publike ka nevojë për ndershmëri, fakte, verifikim e përgjegjësi

Haxhiu: Hapësira publike ka nevojë për ndershmëri, fakte, verifikim e përgjegjësi

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që punojnë me integritet për ta mbajtur të saktë dhe të ndershme hapësirën publike.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu thotë se epoka jonë karakterizohet me ritëm të shpejtë informimi, ndaj sfidat për ta dalluar faktin nga interpretimi janë gjithnjë e më të mëdha, transmeton Klankosova.tv.

Pos tjerash, ajo shtoi se roli i mediave profesionale dhe i gazetarëve të përkushtuar mbetet thelbësor për informimin e drejtë të qytetarëve sepse, sipas saj, kur e vërteta cenohet, kur lajmi ngatërrohet me manipulim, kur gjysmë të vërtetat ia zënë vendin fakteve dhe kur interesat e fshehura flasin në emër të publikut, qytetari e humb orientimin dhe demokracia dobësohet.

“Hapësira publike ka nevojë për ndershmëri, për fakte, për verifikim dhe përgjegjësi. Këto janë vlera që e forcojnë besimin dhe e mbajnë të shëndetshme demokracinë tonë. Falënderoj të gjithë punonjësit e mediave që verifikojnë faktet, transmetojnë lajmet dhe i shërbejnë publikut me ndershmëri!  Gazetaria me integritet është shërbim për qytetarët dhe për Republikën”, thuhet në postimin e saj.

Nga ana tjetër, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kritikuar Qeverinë në detyrë, ku sipas tyre, gazetarët në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me një numër sfidash për kryerjen e punës së tyre, ku kryesorja, siç theksohet në deklaratë, mbetet një fushatë e pandalshme nga ana e Qeverisë dhe partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, në përpjekje për të delegjitimuar punën e gazetarëve.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, AGK: Gazetarët në Kosovë vazhdojnë të mbesin target i sulmeve

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT