Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar të martën në takim liderët e partive politike, në orën 09:00.
Takimi është thirrur për të diskutuar zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese.
“Në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes, ju ftoj në një takim konsultativ lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe me rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një Presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, për formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”, thuhet në ftesën e Haxhiut dërguar liderëve të partive.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) bëri të ditur të enjten se nuk është e interesuar të qeverisë më së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), por se do ta votojë një figurë konsensuale për president.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk e dëshiron më as pozitën e presidentit dhe as atë të kryetarit të Kuvendit.
Pas këtij qëndrimi, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e LVV-së se presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë një figurë konsensuale, e cila gëzon mbështetje sa më të gjerë politike dhe qytetare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


