Wednesday, August 12, 2026
spot_img
HomeLajmeHasmëria Bajri-Lici: Porosia e “Fantazmës” u kushton me pezullim 8 zyrtarëve të...

Hasmëria Bajri-Lici: Porosia e “Fantazmës” u kushton me pezullim 8 zyrtarëve të burgut të Fierit

Tetë punonjës të Policisë së Burgjeve në Fier janë pezulluar nga detyra pas përleshjes mes tre të paraburgosurve, ngjarje për të cilën Prokuroria dyshon se mund të jetë e porositur dhe e lidhur me përplasjet mes grupeve rivale.

Në mesin e dëshmive të mbledhura nga hetuesit është edhe pretendimi i Denis Bajrit (Brajovic), i cili ka deklaruar se ishte sulmuar me një thikë të improvizuar nga Jurgen Zoto, me porosi të Ibrahim Licit, i njohur me nofkën “Fantazma” dhe që është në kërkim nga drejtësia.

Sipas dëshmisë së Bajrit, ai ishte thirrur për takim nga Aldo Gjini, i cili kishte shkuar bashkë me Zoton. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentet kur tre të paraburgosurit fillimisht janë takuar dhe përshëndetur normalisht, ndërsa më pas janë zhvendosur në një ambient tjetër, ku situata ka eskaluar në përleshje.

Bajri ka pretenduar se Zoto e ka sulmuar me një thikë artizanale, të ndërtuar nga një shirit ene metalike i mprehur në formë tehu dhe i vendosur në një bisht druri. Ai ka deklaruar se gjatë përleshjes ka arritur t’ia marrë thikën nga dora.

Si pasojë, Bajri dhe Zoto kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për trajtim mjekësor, raporton A2 CNN, transmeton Sinjali.

Por pas ngjarjes, “porosia e Fantazmës” nuk ka kaluar pa pasoja për personat që ishin përgjegjës për sigurinë në burg.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, ka pezulluar nga detyra tetë punonjës të Policisë së Burgjeve të Fierit, të cilët ishin në turn gjatë ditës kur ndodhi përleshja.

Të pezulluarit janë dy përgjegjës turni dhe gjashtë punonjës të rolit bazë. Masa do të jetë në fuqi deri në përfundimin e hetimeve dhe vlerësimit të organeve kompetente lidhur me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale.

Ndërkohë, pas incidentit, Komisioni i Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka izoluar për tre muaj Aldo Gjinin dhe Jurgen Zoton. Gjini është transferuar në burgun e Drenovës, ndërsa Zoto në atë të Burrelit.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa mbetet për t’u zbardhur nëse përplasja brenda burgut ishte rezultat i një konflikti të momentit apo pjesë e një përplasjeje të porositur mes grupeve rivale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT