Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka dërguar ftesa të reja për takim kryetarëve të partive politike.
Burime të Klankosova.tv brenda kabinetit të Kurtit kanë thënë se ai u ka dërguar ftesat kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe atij të Aleancës, Ardian Gjini.
Kurti nuk ka caktuar datë për takim, por e ka lënë të hapur kohën për kur të jenë të gatshëm kryetarët e tjerë të partive.
Partitë opozitare, sidomos PDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar që të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas tyre, janë shkelur afatet kushtetuese.
Për këtë, kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Kurtin për shkelje të Kushtetutës dhe bllokim të institucioneve të vendit.
Kjo situatë ka shkaktuar tension sot në Kuvendin e Kosovës, me deputetë të PDK-së dhe Aleancës që kanë kërkuar krijimin e institucioneve të vendit, veçanërisht konstituimin e legjislativit. /Klankosova.tv


