Pas mobilizimit të shqiptarëve në diasporë dhe protestave në mbështetje të krerëve të UÇK-së të dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë, ka reaguar Daut Haradinaj i AAK-së.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka vlerësuar mbështetjen e mërgatës shqiptare, duke e cilësuar atë si një shtyllë të rëndësishme të përpjekjeve për liri gjatë luftës dhe si një zë të fuqishëm edhe sot.
“Në ditët më të errëta, kur shpresa kërkonte krahë, ishin pikërisht vëllezërit dhe motrat tona në Diasporë që u bënë shtylla, zëri dhe mbështetja më e madhe për çlirim”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se diaspora shqiptare po mobilizohet sërish dhe po dëshmon se vazhdon të jetë e lidhur me fatin e Kosovës.
“Sot, Diaspora shqiptare po zgjohet sërish me të njëjtin zjarr e përkushtim. Edhe një herë po e dëshmojnë me vepra, me zë të lartë e me zemër të hapur, se nuk janë vëzhgues të historisë, por gardianë të saj”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka theksuar se shqiptarët në diasporë po shprehin mbështetje për Kosovën, lirinë dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“Ata po na tregojnë se janë me ne, me lirinë, me shtetin tonë dhe me çlirimtarët që dhanë gjithçka për këtë ditë”, ka shkruar ai.
Në fund, Haradinaj ka falënderuar mërgatën shqiptare për mobilizimin dhe mbështetjen.
“Po, Liria Ka Emër, e ka edhe emrin edhe Mërgatë, e ka emrin sakrificë dhe ka prapa një popull të tërë, këtu e në çdo cep të botës, që sot po e mbron Luftën Çlirimtare, UÇK-në, me krenari dhe dinjitet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


