Ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe te varri i Komandant Drinit, për të cilin tha se ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.
“Ekrem Rexha – Drini, ishte ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili me aftësitë e tij si udhëheqës dhe vizionar, la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të lavdishme. I afërt dhe i respektuar nga të gjithë, humbja e tij ishte një goditje e madhe për vendin dhe një dhimbje e thellë për familjen dhe bashkëluftëtarët”, shkroi Haradinaj në Facebook.
“8 maji na kthen në kujtesë vitin 1999, motrat dhe vëllezërit e fshatrave Kashicë, Staradran dhe Terstenik, që me sakrificën e tyre u bënë gurthemel i shtetit që e gëzojmë sot”.
“Po në këtë datë, kujtojmë Betejën e Llapushnikut, e zhvilluar më 8, 9 dhe 10 maj të vitit 1998, ndër betejat më të lavdishme të Luftës sonë Çlirimtare. Kjo betejë shënoi një kthesë me rëndësi në zhvillimin e luftës frontale, duke i ndërprerë armikut një prej arterieve kryesore të furnizimit. Me përulje e respekt kujtojmë dhe nderojmë 47 Dëshmorë dhe 54 Martirë që ranë në altarin e lirisë së Kosovës”.
Haradinaj po ashtu kujtoi dëshmorët dhe martirët e fshatit Lëbushë.


