Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Hamza ka thënë se vendimi i shqiptuar sot është kundër shtetit të Kosovës dhe jo në emër të popullit të Kosovës.
Sipas tij, me këtë aktgjykim nuk u pa drejtësia, por u godit rezistenca e popullit të Kosovës.
“Për ne ky gjykim është padrejtësi e madhe sepse atje u dënuan ata që ia kushtuan rininë e jetën Kosovës. U dënuan se e kanë mbrojtur luftën e UÇK-së nga faktorët e jashtëm. Po ashtu ai vendim mbështetet edhe në pretendimet dhe materialet e fabrikuara të ushqyera nga propaganda e Serbisë”, ka thënë ai.
Hamza ka deklaruar se historia e Kosovës është shkruar nga populli që, sipas tij, luftoi për mbijetesë.
Ai, në një konferencë për media, ka thënë se katër ish-krerët e UÇK-së ishin në koordinim me aleatët e vendit dhe se, sipas tij, ata sot u dënuan edhe për këto aleanca.
“Sot është ditë e rëndë për Kosovën por sot nuk përfundon historia. Presim që në Apel të shqyrtohen me saktësi konkluzionet”, ka thënë ai.
Kreu i PDK-së ka theksuar se shteti i Kosovës duhet t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e së vërtetës.
Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja është e gatshme të ndërmarrë veprime konkrete ligjore lidhur me këtë rast.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


